
SHKOLLA E MUZIKËS BIZANTINE
HISTORIKU
Muzika bizantine është një art i veçantë psaltik që sot përdoret ekskluzivisht vetëm në adhurimin e krishterë orthodhoks. Bën pjesë ndër artet muzikore lindore që lindi dhe lulëzoi më tepër në mesjetë, gjatë periudhës bizantine. Muzika bizantine, që në zanafillë të saj, ndahej në muzikën bizantine brenda kishës (religjioze, sacra) dhe në atë jashtë saj (profane, popullore). Tingujt bizantinë ndiheshin në çdo veprimtari të jetës së shoqërisë multietnike të romejve.
Si e tillë, ajo u përhap dhe u zhvillua ndër shekuj duke na paraqitur një repertor psaltik shumë të pasur, një gamë të madhe kompozitorësh që e ngritën në piedestal, një prej më të rëndësishmëve shën Joan Kukuzeli, mjeshtri ynë nga Durrësi. Gjatë historisë, sidomos në periudhën pasbizantine, muzika bizantine kaloi në periudha statike, rënieje, dhe moszhvillimi, por pati edhe çaste lulëzimi jo në qendrën e saj, në Konstandinopojë, por në qendra të tjera të papushtuara nga otomanët. Megjithatë vendi ku u ruajt dhe u kultivua pareshtur ishin tempujt orthodhoksë. Shkrimi muzikor psaltik dhe tradita e të mësuarit të këtij arti pësoi ndryshime dhe reforma, që të thjeshtësohej dhe të bëhej më i prekshëm për brezat e rinj, duke arritur deri në ditët tona.
Muzika Bizantine edhe në hapësirën e Shqipërisë së sotme ndoqi të njëjtin rrugëtim me historinë e përgjithshme të saj. Nga 1900 e deri në vitin 1967, u bënë përpjekje për krijimin e një arti psaltik shqipfolës. Mund të vëmë në dukje përkthimin e teksteve të para liturgjike kryesisht nga imzot Theofan Noli, por edhe përpjekjet e para të përshtatjes së melosit bizantin me tekstin në shqip. Gjatë kësaj periudhe, ky art u transmetua nëpërmjet kurseve të ndryshme, apo lëndëve që zhvilloheshin në seminaret teologjike të Kishës, me kontributin e vyer të Dhimitër Bedulit.
Pas viteve 1990, me rënien e diktaturës dhe ardhjen e Kryepiskopit Anastas në krye të Kishës Orthodokse të Shqipërisë, muzika bizantine mori një hov të ri. Menjëherë filluan mësimet e muzikës bizantine, të cilat zhvilloheshin në kurse specifike nëpër enori, në Seminarin Hieratik, Akademinë Teologjike, Licetë Kishtarë (Sukth, Gjirokastër), si dhe në veprimtari javore të qendrave rinore. Në vitin 1998 u krijua Kori Bizantin i Psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” nën drejtimin e arkimandritit Justin Anthimiadhit. Ky kor vazhdon funksionimin e tij deri në ditët e sotme me drejtues z. Theodhor Peci që prej vitit 2011.

Përgjatë historisë nuk kemi ndonjë evidencë konkrete që të ketë ekzistuar një shkollë e mirëfilltë e artit psaltik në shqip për përgatitjen në nivel profesional të psaltëve ashtu si me shkollat simotra në Kishat e tjera Orthodhokse. Prandaj, në kuadër të përpjekjeve të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të strukturave të saj, një fokus të veçantë iu dha lulëzimit dhe zhvillimit të Artit Psaltik në Shqipëri. Kështu, me bekimin e tij, më 1 Tetor 2012 çeli dyert Shkolla e Muzikës Bizantine, në Tiranë (Shkozë), duke vënë kështu në funksion një shkollë të Artit Psaltik për herë të parë në historinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë.
