Diplomimi i studentëve (2022)
- shkollaemuzikes
- Dec 18, 2022
- 4 min read
Updated: Dec 19, 2022
Sot në dt. 18 dhjetor 2022 në Kishën Katedrale të "Ngjalljes së Krishtit" në Tiranë u bë diplomimi i studentëve të Shkollës së Muzikës Bizantine në prezencë të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, të klerikëve dhe tërësisë së Kishës.
Drejtori i shkollës, z. Theodhor Peci iu drejtua Kryepiskopit dhe të pranishmëve me këto fjalë:
"Fortlumturi,
Që në vitet e para të zgjedhjes suaj si kryepiskop i Shqipërisë, krahas arsimimit teologjik u kujdesët në mënyrë të veçantë për artet kishtare dhe në veçanti për Artin Psaltik. Duke theksuar rolin e psaltëve si të hirshëm dhe për më tepër duke i cilësuar ashtu siç referojnë kanonet e kishës si klerikë që shërbejnë jashtë hierores, ju u kujdesët që kualifikimi i tyre të kryhet në mënyrën më profesionale dhe me kushtet më moderne duke ngritur për herë të parë në historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë Shkollën e Muzikës Bizantine në vitin 2012 këtu në Tiranë në Qendrën Shpirtërore "Thavor", një stacion kyç në kualifikimin profesional të Psaltëve. Gjatë kësaj dekade janë kualifikuar mbi 50 psaltë, një pjesë e të cilëve ushtrojnë funksionin e tyre në Tiranë, Korçë, Berat, Pogradec. Njëkohësisht angazhim për stafin pedagogjik të shkollës sonë ka qenë edhe përshtatja, kompozimi dhe botimi i librave bazikë psaltikë, Anastasimatari dhe Liturgjia Hyjnore në dy vëllime dhe të tjerë që presin dritën e botimit. Keto përbëjnë mjetet thelbësore në ushtrimin e përditshëm të punës së tyre.
Madje një punë e rëndësishme dhe e vështirë ka qenë dhe përkthimi, korrigjimi, punimi melodik i librave liturgjikë dhe shumë shërbesave të shenjtorëve. Paralelisht me këto ka qenë dhe promovimi apo interpretimi i Muzikës Bizantine përmes korit bizantin të psaltëve “Shën Joan Kukuzeli” gjatë shërbesave në tempull, në institucionet më në zë të vendit, me koncerte e shfaqje të shumta në Shqipëri, Greqi, Serbi, Kosovë, Mal të Zi. Nuk duhet të harrojmë që shkolla dhe kori ynë ka një prezencë aktive në rrjetet sociale, duke publikuar mbi 270 video me himne bizantine në kanalin e YouTube. Por nuk mund të lihet dhe pa përmendur evidentimi i vlerave të këtij arti përmes kumtesave dhe studimeve shkencore në institucionet arsimore e akademike të vendit.
Këto vite kanë qenë sa të bukura por edhe të vëshira por ne nuk kemi pushuar së ndjekuri shembullin dhe durimin tuaj Fortlumturi dhe nuk jemi ndjerë të vetmuar sepse keni qënë ju prezent në çdo moment me përkujdesjen dhe mbështetjen tuaj të gjithanëshme. Dhe për këtë ju falenderojmë me gjithë qenien tonë. Sot kemi ditë të gëzuar sepse Kishës i shtohen edhe 5 psaltë të tjerë të rinj nga zona të ndryshme të Shqipërisë të cilën diplomohen këtu përpara tërësisë së Kishës. Si drejtor i shkollës dhe në emër të stafit tonë uroj rrugëtim të mbarë shpirtëror edhe psaltik për të pestë psaltët e rinj duke iu lutur Zotit që t’i ruajë dhe ti mbajë pranë Tij dhe duke ju falenderuar përzemërsisht ju Fortlumturi, si president i shkollës sonë për gjithçka që kryeni për ne dhe për lulëzimin e Artit Psaltik në Shqipëri.
Faleminderit!"
Nga ana tjetër, Forlumturia e Tij falenderoi z.Theodhor Peci për kontributin e tij të frytshëm në kultivimin e këtij arti liturgjik dhe theksoi rëndësinë e Psaltit në kryerjen e shërbesave përgjatë adhurimit.
Ai theksoi si më poshtë:
“Ardhja e Zotit tonë në tokë ishte në një atmosferë përulësie, por në të njëjtën kohë lavdërimi dhe ne e dimë shumë mirë se tradita jonë thekson himnin engjëllor që shoqëroi këtë ngjarje madhështore “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje." Brenda Kishës sonë ne e dimë mirë se nuk janë vetëm klerikët që kanë një rol drejtues, por edhe koret, psaltët që, duke përfaqësuar popullin, lavdërojnë dhe himnojnë Zotin tonë. Është detyrë por njëkohësisht edhe privilegj i madh të përfaqësosh popullin në këtë orë adhurimi. Roli i Psaltit është dhe grada e parë e klerit.
Jemi mirënjohës sepse gjatë gjithë këtyre viteve dy koret e kanë përfaqësuar popullin tonë në Liturgjinë Hyjnore me shumë dashuri dhe përkushtim. Vazhduam traditën që ekzistonte dhe kori miks, ose i ashtuquajtur europian, vazhdon dhe i ofron një shërbim të vyer gjithë jetës liturgjike. Por një përpjekje e veçantë u bë për të krijuar tashmë, sipas traditës së Kishës sonë këtu në Shqipëri, korin bizantin, duke krijuar kursin dhe në vazhdim Shkollën e Muzikës Bizantine dhe më pas me të gjithë ato që përmendi më parë vëllai dhe nxënësi im i dashur, Theodhori. I detyrohemi falenderime dhe mirenjohje sepse me këmbnguljen e tij realisht arriti shumë gjëra. Me këmbënguljen, zellin studimor, dijen dhe përmirësimin e vazhdueshëm që vërejmë në të gjithë përpjekjet e tij. Secili prej nesh sipas talenteve që ka marrë nga Perëndia duhet ti zhvillojë dhe ti shtojë në maksimum për të mirën dhe përmirësimin e Kishës. Siç na thotë dhe Zoti në paravolinë e tij, si ata që morën 5, si ata që morën 2, apo 1, të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për ti shtuar ato dhe ti ofrojnë ato me me dashuri, përkushtim dhe dhembshuri tek secili brenda Kishës."
Ai bekoi dhe u dorëzoi diplomat studentëve dhe u uroi përparim të mëtejshëm.
Lavdi Perëndisë për të gjitha!
Comments