top of page

Historia e Ikonës dhe Himnit "Të meriton me të vërtetë"

  • Writer: shkollaemuzikes
    shkollaemuzikes
  • Jun 25, 2023
  • 3 min read

Në Kishën historike të Protatos, Malin e Shenjtë, në hieroren e shenjtë ndodhet e fronëzuar lart në bashkëfronin qëndror Ikona e shenjtë mrekullibërëse dhe e nderuar "Aksion Estin". Quhet kështu sepse përpara kësaj ikone u këndua për herë të parë ky himn prej Kryeëngjëllit Gabriel. Ajo është lavdia, mburrja dhe mbrojtja e gjithë Malit Athos.


Historia e ikonës u shkrua në vitin 1548 nga Serafimi, Hieromonaku i Parë i Malit Athos, i cili shquhej për virtyt, mençuri, dituri dhe bujari. Si i parë, ai qeverisi Malin e Shenjtë me drejtësi dhe maturi ungjillore.

Ngjarja mrekulluese ndodhi në 11 qershor të vitit 982 në Karies, në qendrën e Malit Athos. Në një Qeli të vogël të Fjetjes së Hyjlindëses pranë saj, jetonte një hieromonak i virtytshëm me nxënësin e tij. Në 11 qershor, e shtunë në mbrëmje jerondi shkoi të merrte pjesë në agripninë që do të mbahej në Kishën e Protatos ndërsa nxënësi i tij mbeti në qeli. Ky i fundit u vizitua nga një murg i panjohur i cili i kërkoi të kalonte natën në qeli.


Herët në mëngjes u ngritën për të bërë shërbesat murgërore në kishën e Qelisë dhe në Mëngjesore kur arritën tek Madhërimet, "Më të nderuarën se kerubimet", nxënësi psali herën e parë ashtu siç ishte tropari i lashtë i krijuar prej Shën Kozma Poetit. Kur erdhi hera e dytë murgu i panjohur nisi të psalë: "Të meriton me të vërtetë të të lumërojmë ty Hyjlindësen, gjithmonë të lumurën dhe të përmbikulluarën, dhe Mëmën e Perëndisë tonë. Më të nderuarën se Keruvimet dhe më të lavdëruarën pa krahasim se Serafimet, që pa u cenuar linde Fjalën Perëndi, me të vërtetë Hyjlindëse, ty të madhërojmë."


I habitur nxënësi i tha: «Ne psalim vetëm "Më të nderuarën", kurse "Të meriton" nuk e kemi dëgjuar ndonjëherë as ne, as ata përpara nesh. Të lutem ma shkruaj dhe mua këtë himn që ta psal edhe unë.» Duke qenë se nxënësi nuk kishte letër, murgu i gdhendi me gisht këto fjalë të shenjta thellë dhe të paprerë në një pllakë guri, duke shtuar: "Tani e tutje, të gjithë të krishterët le të këndojnë himnin e Hyjlindëses".


Duke thënë këtë, ai u zhduk nga pamja e murgut të ri, ndërsa sipas traditës ikona i Krishtit në ikonostasin e kishës u transferua me shpejtësi në të majtë, ndërsa ikona i Hyjlindëses në të djathtë. Ky rregullim është ruajtur edhe sot e kësaj dite, në ikonostasin e gdhendur në dru të qelisë.


Duke u kthyer, Jerondi dëgjoi historinë dhe pa pllakën e gdhendur. Menjëherë së bashku me dishepullin e tij ai nxitoi t'i lajmëronte mrekullinë të Parit të Malit Athos dhe jerondëve të tjerë. Ata ia dërguan pllakën e gdhendur nga engjëlli Patriarkut dhe perandorit të kohës, me qëllim që himni të përhapej në të gjithë botën orthodhokse.


Sipas Shën Nikodhim Agjioritit, ai murg i panjohur nuk ishte askush tjetër përveçse Kryeengjëlli Gabriel, i cili ishte gjithmonë "... himnologu i devotshëm i Hyjlindëses". Sipas të njëjtit burim, pas disa ditësh ikona u transferua në Protatos ku u vendos në Bashkëfronin e Shenjtë të tempullit dhe qelia që priti vizitën e kryeengjëllit u quajt që atëherë "Aksion Estin".

Kjo ngjarje e veçantë kremtohet sot në me kalendarin e ri që ndoqi Mali i Shenjtë si shumë kisha të tjera 13 ditë pas kalendarit të vjetër të asaj kohe, që përkon me datën 24 Qershor.


Ky Madhështim hyjlindësor u fut në përdorim liturgjik brenda Liturgjisë Hyjnore të Shën Joan Gojartit prej shek.X pas Kr, tek "Veçan të Tërëshenjtën...". Himni psalet sipas të njëjtin tingull që psalet edhe Himni Kerubik. Ndërsa sips traditës agjiorite kryeëngjëlli Gabriel e psali atë në Tingull të Dytë, prandaj deri sot në Kishën e Protatos, ajo psalet vetëm të Tingull të Dytë në Liturgjinë Hyjnore.


©️ Ιουστίνου Ιερομ. Σιμωνοπετρίτου, «Άξιον Εστιν» – Η Θαυματουργή Εικόνα Του Πρωτάτου, Αγιορείτικα Τετράδια 1.


Përktheu dhe përshtati: Jorgo B




 
 
 

Comentários


bottom of page