Përdëllemë mua, O Zot, Bir i Davidit.
- shkollaemuzikes
- Jan 29, 2023
- 3 min read

Gruaja kananease e fragmentit të sotëm të Ungjillit nuk i përkiste popullit hebre. Ajo jetonte në mjedisin helenistik të Sirisë dhe me sa duket njihte mjaft gjëra për fenë e Izraelit. Në ungjij na tregohet për përulësinë dhe besimin e saj në Krishtin, si dhe për vetëdijen që kishte, se ajo nuk qëndronte përballë një njeriu të zakonshëm, por Mesias që prisnin izraelitët. Kjo grua kishte një vajzë të pushtuar dhe kjo i shkaktone asaj fatkeqësi të madhe. Kështu, kur dëgjoi se Jisui po kalonte nëpër zonën e saj, kuptoi se ishte mundësia e vetme për të shëruar vajzën e saj. Ajo doli në rrugën ku do të kalonte Jisui dhe thirri: "Përdëllemë mua, o Zot, biri i Davidit. Vajza ime torturohet keq prej demonit”.
1.Ia vlen t'i kushtojmë pak vëmendje fjalëve të saj. Nuk thotë: "Zot shëro vajzën time"; por "Përdëllemë mua". Ajo identifikohet me vajzën e saj, problemi i vajzës është edhe i saji. Kështu jep një mesazh të mrekullueshëm, se problemi i të tjerëve duhet të bëhet edhe i yni. Uniteti është një element kyç i besimit tonë. Ne jemi Kisha, të gjithë së bashku formojmë Trupin e Krishtit, sipas imazhit të mrekullueshëm që na ka dhënë apostulli Pavël. Ai vetë e ka këtë vetëdije kur deklaron: “Kush është i sëmurë dhe unë nuk jam i sëmurë me të? Kush bie në tundim dhe unë nuk vuaj?” (2 Kor. 11:29).
2. Një pikë e dytë që vlen të përmendet në këtë rrëfim është se, ndërsa gruaja nuk është izraelite, ajo e njeh Jisuin si Mesinë e pritur nga judenjtë, prandaj i drejtohet atij si Zot dhe bir i Davidit. Kjo ishte diçka që judenjtë nuk mund ta perceptonin dhe ta pranonin, pavarësisht përgatitjes shpirtërore që populli i tyre kishte nga Ligji dhe Profetët.
Krishti, i cili është i gjithëdijshëm, dëshiron të shfaqë virtytet e saj në sytë e të gjithëve dhe për këtë arsye bën sikur nuk u kushton vëmendje lutjeve të saj. Dishepujt e Tij ndërmjetësojnë në emër të saj, por përsëri Zoti u përgjigjet atyre se ai është i interesuar vetëm për shpëtimin e izraelitëve. Gruaja nuk dekurajohet, as nuk pushon së lypuri, duke dhënë kështu mesazhin e këmbënguljes dhe durimit në lutjet tona drejtuar Zotit. Ajo i afrohet Krishtit, bie në këmbët e tij dhe i lutet, duke iu referuar sërish problemit të së bijës, si të sajin, që ta ndihmojë.
3. Jisui, për të treguar më qartë virtytin e saj, përgjigjet në mënyrë inferiore. “Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh qenve”. Ai i përshkruan judenjtë si fëmijët e tij dhe jojudenjtë si qen.
Por reagimi i Kananeas është sërish mbresëlënës. Ajo nuk zemërohet, nuk ofendohet, por përkundrazi pranon karakterizimin fyes dhe mbi të e mbështet menjëherë kërkesën e saj sërish me zgjuarsi dhe përulësi. "Po, Zot, por edhe qentë e vegjël hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre".
Shembull i shkëlqyer i përulësisë dhe argumentimit inteligjent. Ashtu si egoizmi është mëkati më i madh, i cili e ktheu kryeengjëllin në djall dhe e nxorri të parëlindurin nga Parajsa, ashtu edhe përulësia është virtyti më i madh që të çon te Zoti. Vetë Virgjëresha Mari na thotë se zgjedhja e saj si Nënë e Zotit u bazua në përulësinë, "sepse hodhi sytë mbi përulësinë e shërbëtores së tij" (Luka 1:48). Perëndia ynë është i përulur sipas fjalëve të tij: "Mësoni nga unë, sepse unë jam i butë dhe i përulur nga zemra" (Mt. 11:29). Të gjitha kurthet e djallit bëhen të padobishme kur ka përulësi, sipas mësuesit të shkretëtirës, Shën Andonit.
Në përgjigjen e Kananeases, Krishti tani na tregon qartë admirimin e tij dhe e lavdëron atë para të gjithëve për besimin dhe përulësinë e saj. "O grua, i madh është besimi yt, le të bëhet si të duash". Që nga ajo kohë, vajza e saj u shërua dhe kjo grua u bë një shembull i ndritshëm, i cili na tregon se duhet menduar, lutur dhe vepruar në mënyrë që të lavdërohet nga Krishti dhe të dëgjohen lutjet e tij. Amin.
Comments